
Në Dhomat e Specializuara në Hagë, gjyqtari Charles Smith vijoi leximin e përmbledhjes së aktgjykimit në procesin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.
Në këtë pjesë të vendimit, Smith tha se trupi gjykues nuk arriti të gjente të provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se ishin kryer krime kundër njerëzimit, përfshirë përndjekje, burgosje, veprime të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.
Më pas, trupi gjykues u ndal te konflikti i armatosur, si parakusht për akuzat për krime lufte. Sipas vendimit të lexuar nga Smith, gjykata konstatoi se të paktën nga fundi i marsit 1998 deri më 20 qershor 1999, mes UÇK-së dhe forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë, përkatësisht forcave serbe, ka ekzistuar një konflikt i armatosur jo ndërkombëtar.
Trupi gjykues konstatoi gjithashtu se ky konflikt u zhvillua në Kosovë, ndërsa normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare ishin të zbatueshme edhe në disa vendndodhje të kontrolluara nga UÇK-ja në veri të Shqipërisë.
Por, sipas trupit gjykues, ngjarjet e ndodhura pas 20 qershorit 1999 nuk mund të cilësohen si krime lufte, pasi pas kësaj date konflikti i armatosur kishte përfunduar dhe normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare nuk zbatoheshin më për personat në fjalë.
Sa i përket akuzës për arrestim dhe ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trupi gjykues gjeti të provuar se nga prilli 1998 deri më 20 qershor 1999, të paktën 385 personave iu hoq liria në mënyrë arbitrare nga anëtarë të UÇK-së. Sipas aktgjykimit, ata u mbajtën në qendra ndalimi të kontrolluara nga UÇK-ja në 14 komuna të Kosovës dhe në disa vendndodhje në veri të Shqipërisë.
Në përmbledhjen e lexuar nga Smith thuhet se shumë prej viktimave u arrestuan nën dyshime se ishin “bashkëpunëtorë të serbëve”, “spiunë” apo “tradhtarë”. Trupi gjykues gjeti se gjatë arrestimit dhe ndalimit, disa prej tyre u rrahën, u kërcënuan, iu lidhën sytë, duart ose këmbët, ndërsa të tjerë u mbajtën me zinxhirë, pranga ose nën kërcënimin e armëve.





