Pas 14 vitesh mungesë, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar rikthehet në Tiranë me një program të gjerë që sjell para publikut 118 prodhime të kinemasë shqiptare.

Edicioni i 14-të i festivalit do të zhvillohet nga 3 deri më 12 shtator 2026, me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë dhe nën drejtimin artistik të Ilir Butkës.

Përgjatë dhjetë ditëve, publiku do të ketë mundësi të shohë filma të realizuar gjatë 14 viteve të fundit, duke krijuar një panoramë të zhvillimit të kinemasë shqiptare gjatë periudhës kur festivali ka munguar.

Mes 118 veprave të përzgjedhura janë filma në konkurrim, shfaqje speciale dhe prodhime jashtë konkurrimit. Në program përfshihen vepra të autorëve dhe kineastëve të njohur shqiptarë, mes tyre Gjergj Xhuvani, Edmond dhe Robert Budina, Fatmir Koçi, Iris Elezi, Artur Gorishti, Gentian Koçi, Florenc Papas, Genc Përmeti, Ajola Daja, Bujar Alimani, Pluton Vasi dhe Roland Sejko.

Një prej filmave që do të shfaqet është “Aleksandër”, prodhim i vitit 2023, që sjell historinë e Aleksandër Grudës. Në vitin 1990, pasi ishte larguar nga marina për shkak të disidencës, mekaniku shqiptar mori kontrollin e një anijeje luftarake në përpjekje për të siguruar lirinë për veten dhe familjen e tij.

Shfaqjet do të organizohen në disa hapësira të kryeqytetit: Universitetin e Arteve, Kinema Agimi, Kinema Piramida dhe Film Zone në Tirana Moon, në Sheshin “Nënë Tereza”.

Festivali synon jo vetëm rikthimin e një tradite të rëndësishme të kinematografisë shqiptare, por edhe afrimin e publikut me prodhimet vendase dhe krijimin e një hapësire promovimi për brezin e ri të kineastëve.

31 çmime dhe një natë gala

Festivali do të mbyllet me natën gala të çmimeve, ku do të ndahen gjithsej 31 vlerësime.

Fituesit do të përcaktohen në tri mënyra: nga Juria e Ekspertëve, nga anëtarët e Akademisë së Festivalit dhe përmes votës së publikut.

Çmimet përfshijnë kategoritë kryesore të filmit të gjatë artistik, filmit të shkurtër, dokumentarit dhe filmit të animuar. Do të ketë gjithashtu vlerësime për regjinë, produksionin, interpretimin, skenarin, fotografinë, muzikën, montazhin, skenografinë dhe kostumografinë.

Nderohen 16 figura të kinemasë shqiptare

Një pjesë e veçantë e festivalit do t’u kushtohet figurave që kanë lënë gjurmë në historinë e filmit shqiptar.

Me Çmimin e Karrierës do të nderohen 16 personalitete të kinematografisë shqiptare.

Në skenë do të vlerësohen Esat Musliu, Petrit Beci, Pëllumb Kulla, Reshat Arbana, Robert Ndrenika, Robert Radoja, Roza Anagnosti, Saimir Kumbaro dhe Tinka Kurti.

Festivali do të kujtojë dhe nderojë gjithashtu Birçe Haskon, Ibrahim Muçajn, Kristaq Mitron, Margarita Xhepën, Piro Milkanin, Xhanfise Kekon dhe Xhevdet Ferrin.

Rikthimi pas 14 vitesh e shndërron Festivalin Kombëtar të Filmit Shqiptar në një takim mes brezave të kinemasë, duke sjellë në të njëjtën skenë historinë, prodhimet e viteve të fundit dhe emrat e rinj të filmit shqiptar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu