
Zegjine Çaushi nuk ka pse të mbajë përgjegjësi për dajën e saj. Përgjegjësia penale është individuale dhe Bledar Bakaj duhet të përgjigjet vetëm përpara drejtësisë për çdo fakt që mund të provohet ndaj tij.
Por Zegjine Çaushi është deputete e Kuvendit të Shqipërisë dhe pikërisht për këtë arsye reagimi i saj publik kërkon një standard krejt tjetër.
Përballë një gruaje që pretendon se është mbajtur 45 ditë kundër vullnetit të saj, është dhunuar, përdhunuar dhe kërcënuar, deputetja zgjedh të tregojë se i kishte parë bashkë, se gruaja i kishte thënë se do të martoheshin, se njerëzit në oborr kishin qeshur dhe, mbi të gjitha, publikon një fotografi ku dy personat shfaqen të përqafuar dhe me lule.
Po çfarë provon kjo?
Asgjë për pretendimet që sot duhet të hetojë drejtësia.
Një grua mund të ketë qenë në një marrëdhënie, mund të ketë bashkëjetuar, mund të ketë dashur të martohet dhe mund të ketë bërë njëqind fotografi duke buzëqeshur. Asnjë prej këtyre fakteve nuk përjashton mundësinë që më pas të ketë qenë viktimë e dhunës apo e një krimi seksual.
Edhe më problematik është formulimi se çështja duhet parë “edhe nga këndvështrimi psikologjik, për të dy personat”. Kur në publik janë ngritur pretendime kaq të rënda, një përfaqësuese e Kuvendit duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme që fjalët e saj të mos krijojnë përshtypjen e relativizimit të dëshmisë së denoncueses.
Një reagim institucional do të ishte shumë më i thjeshtë: nuk mbaj përgjegjësi për veprimet e një të afërmi; nuk paragjykoj as denoncuesen dhe as personin e akuzuar; çdo pretendim për dhunë duhet hetuar deri në fund dhe drejtësia duhet të vendosë.
Sepse deputeti nuk është thjesht një i afërm që sqaron muhabetet e familjes. Është përfaqësues publik dhe, sidomos kur flitet për pretendime për përdhunim, dhunë dhe kërcënime, gjuha e institucionit duhet të zëvendësojë lloqet farefisnore të oborrit.
Na ke çuar 100 vjet prapa kur martesa ishte kapak floriri për turpin dhe vajzat i jepeshin për nuse dhunuesit.
Është e njëjta mendësi.
Zegjine, shkurt muhabeti; e ke dh…!






