
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, paralajmëroi se konflikti në Lindjen e Mesme pritet të ndikojë negativisht në ekonominë shqiptare, duke sjellë rritje të inflacionit dhe ngadalësim të ritmeve ekonomike gjatë vitit 2026.
Sipas Sejkos, shtrenjtimi i karburanteve dhe energjisë në tregjet ndërkombëtare do të transmetohet edhe në Shqipëri, duke ushtruar presion mbi çmimet dhe konsumin.
Guvernatori theksoi se ndikimi i luftës në ekonomi do të varet nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit, por paralajmëroi se inflacioni mund të qëndrojë mbi objektivin e Bankës së Shqipërisë gjatë këtij viti.
Deklaratat u bënë pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, i cili vendosi të lërë të pandryshuar normën bazë të interesit.
Sipas Bankës Qendrore, ekonomia shqiptare ka shfaqur një ecuri pozitive gjatë tremujorit të parë të vitit 2026, e mbështetur kryesisht nga turizmi, eksportet dhe investimet, por zhvillimet gjeopolitike mbeten një rrezik i rëndësishëm për stabilitetin ekonomik.






