Nënshkrimi i marrëveshjes mes Serbisë dhe Izraelit për shkëmbimin dhe mbrojtjen e të dhënave sekrete në fushën e mbrojtjes ka rikthyer në vëmendje bashkëpunimin ushtarak të Beogradit me partnerë ndërkombëtarë, mes kritikave të opozitës dhe shqetësimeve për përfshirjen e Izraelit në konfliktet në Lindjen e Mesme.

Marrëveshja u firmos nga Ministria e Mbrojtjes e Serbisë dhe ajo e Izraelit dhe synon mbrojtjen e informacionit të klasifikuar, sigurinë e objekteve dhe bashkëpunimin në industrinë ushtarake.

Përfaqësuesi i Ministrisë serbe të Mbrojtjes, Marko Jovanoviq, deklaroi se dokumenti do të mundësojë hyrjen më të shpejtë në fuqi të kontratave për pajisjen me armatim dhe rritjen e kapaciteteve operative të ushtrisë serbe.

Mediat izraelite dhe organizata investigative kanë raportuar se bashkëpunimi lidhet edhe me projektin për ndërtimin e një fabrike dronësh në Serbi, në partneritet me kompaninë izraelite “Elbit Systems”, një nga gjigantët e industrisë ushtarake në Izrael.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, deklaroi se Serbia bashkëpunon si me Izraelin, ashtu edhe me Iranin, duke refuzuar kritikat e opozitës për afrimin me Tel Avivin në kulmin e konfliktit në Gazë dhe tensioneve me Iranin.

Sipas raportimeve, Serbia ka marrëveshje të ngjashme për mbrojtjen e të dhënave sekrete me më shumë se 20 shtete dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë NATO-n, Bashkimin Europian, Rusinë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e rajonit.

Ekspertët e sigurisë theksojnë se marrëveshje të tilla janë të domosdoshme për eksportin e teknologjisë moderne ushtarake dhe mbrojtjen e informacionit strategjik nga rrjedhja drejt vendeve të treta.

Në vitet e fundit, Serbia ka zgjeruar ndjeshëm bashkëpunimin ushtarak me Rusinë, Kinën, Francën dhe Izraelin, duke blerë avionë luftarakë, sisteme kundërajrore, dronë dhe raketa.

Një nga kontratat më të mëdha është ajo me Francën për blerjen e 12 avionëve luftarakë Rafale me vlerë 2.7 miliardë euro.

Ndërkohë, raportet ndërkombëtare tregojnë se eksporti i armëve serbe drejt Izraelit është rritur ndjeshëm pas tetorit 2023, kur nisi lufta në Gazë. Sipas mediave investigative, eksportet ushtarake drejt Izraelit janë shtuar deri në 30 herë, edhe pse autoritetet serbe nuk publikojnë të dhëna të plota mbi sasitë dhe kontratat.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu