
Në emisionin investigativ “Plug”, u publikuan dokumente dhe pretendime mbi çështjen e akcizës së kompanisë Bankers Petroleum, ku përmenden ish-ministrja e Financave Anila Denaj dhe zëvendëskryeministrja Belinda Balluku.
Sipas investigimit, administrata doganore prej vitesh kishte nisur procedura për detyrimet e akcizës ndaj kompanisë, por në korrik 2019 Anila Denaj urdhëroi pezullimin e procedurës administrative ndaj Bankers Petroleum, duke argumentuar se çështja ishte komplekse dhe kërkonte interpretim të mëtejshëm institucional.
Materiali pretendon se vendimi i ministres nuk mbështetej në bazë të qartë ligjore dhe se Dogana e Fierit, nën këtë urdhër, ndaloi vendosjen e gjobave dhe mbledhjen e detyrimeve. Sipas investigimit, edhe pas vendimeve të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese në vitin 2022, procedurat mbetën të bllokuara deri në vitin 2025.
Në qendër të materialit u vendos edhe një shkresë e ministrit të Financave Petrit Malaj, i cili i kujton Doganës së Fierit se verifikimi dhe mbledhja e akcizës janë kompetencë e autoriteteve doganore dhe jo e Ministrisë së Financave.
Sipas dokumenteve të publikuara, Bankers Petroleum është shpallur debitore për miliarda lekë detyrime akcize dhe penalitete, ndërsa investigimi pretendon se dëmi ndaj buxhetit të shtetit arrin në rreth 123 milionë euro dhe se dosja tashmë ndodhet në SPAK.






