
Çmimi i naftës në Kosovë po i afrohet pragut të 2 eurove për litër, ndërsa përfaqësuesit e sektorit paralajmërojnë se rritja mund të vazhdojë nëse tensionet ndërkombëtare nuk zbuten.
Gjatë së enjtes, një litër naftë është shitur në disa pika me çmime nga 1.92 deri në 1.97 euro, duke arritur nivelin më të lartë të regjistruar këtë vit.
Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Zekim Isogu, ka paralajmëruar se, nëse situata aktuale në tregjet ndërkombëtare vazhdon, çmimi në Kosovë mund të kalojë shumë shpejt mbi 2 euro për litër.
Sipas tij, kostoja e importit ka arritur në rreth 1.83 euro për litër, ndërsa bizneset deri tani nuk e kanë reflektuar plotësisht ritmin e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare.
Rritja lidhet kryesisht me përshkallëzimin e konfliktit në Lindjen e Mesme dhe problemet me furnizimin global të naftës. Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme të transportit të naftës në botë, ka shtuar presionin mbi tregjet.
Situata është rënduar edhe nga dëmtimi i tubacionit Lindje-Perëndim të Arabisë Saudite, një prej alternativave kryesore tokësore ndaj Hormuzit.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në Kosovë ka deklaruar ndërkohë se, deri tani, kontrollet nuk kanë konstatuar abuzime me çmimet.
Sipas të dhënave zyrtare, nafta është importuar së fundmi me rreth 1.83 euro për litër dhe është tregtuar në pikat e shitjes kryesisht nga 1.92 deri në 1.94 euro.
Për benzinën, çmimi i importit është raportuar në rreth 1.54 euro për litër, ndërsa shitja me pakicë ka lëvizur nga 1.61 deri në 1.67 euro.
Autoritetet kanë paralajmëruar se, nëse evidentohen abuzime nga operatorët, mund të rikthehet përcaktimi i marzhës maksimale tregtare.
Ekonomistët paralajmërojnë se rritja e çmimit të karburanteve mund të transmetohet edhe te kostot e transportit dhe çmimet e produkteve të tjera, për shkak të varësisë së lartë të Kosovës nga importet.
Burimi: KOHA.net






