Vendimi i Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka sjellë lëvizje të menjëhershme në skenën politike të Kosovës.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka zhvilluar të enjten takime të ndara me tre liderë të partive parlamentare: Albin Kurtin, Lumir Abdixhikun dhe Ardian Gjinin.

Hamza bëri të ditur se takimet janë zhvilluar me kërkesën e tij, pas vendimit të Hagës.

Në fokus të bisedimeve ka qenë situata e krijuar, sfidat me të cilat po përballet Kosova, si edhe mundësitë për bashkëpunim mes forcave politike në këtë periudhë.

“Sot, me kërkesën time, pas vendimit në Hagë, u takova ndaras me tre liderët e partive parlamentare, z. Kurti, z. Abdixhiku dhe z. Gjini. I falënderoj të tre për takimet”, deklaroi Hamza.

Kreu i PDK-së theksoi se bisedimet janë përqendruar te serioziteti i momentit dhe nevoja për koordinim politik.

“Ne biseduam për seriozitetin e situatës së krijuar, sfidat me të cilat po përballemi, si dhe për mundësitë e bashkëpunimit në këtë periudhë të rëndësishme për popullin dhe shtetin tonë”, u shpreh ai.

Takimet mes liderëve vijnë menjëherë pas vendimit të Hagës, në një moment të ndjeshëm për politikën dhe opinionin publik në Kosovë.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu