Hashim Thaçi ka reaguar për herë të parë pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, që e dënoi në shkallë të parë me 25 vite burg.

Përmes një mesazhi të publikuar nga avokati i tij, Luka Mishetiç, ish-presidenti i Kosovës falënderoi qytetarët dhe mbështetësit ndërkombëtarë për solidaritetin e treguar ndaj tij, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Thaçi u bëri njëkohësisht thirrje qytetarëve të Kosovës që reagimi i tyre ndaj asaj që ai e cilëson “padrejtësi” të jetë paqësor.

Mbrojtja njoftoi se aktgjykimi do të dërgohet në Apel, duke pretenduar se gjatë procesit janë bërë gabime të rëndësishme ligjore dhe faktike, si dhe duke ngritur pretendime për cenimin e paanshmërisë së procesit.

Një nga pikat më të forta të reagimit lidhet me rastin e Behajdin Allaqit. Mbrojtja pretendon se Trupi Gjykues e lidhi publikisht Thaçin me vrasjen e tij, ndërkohë që provat për këtë çështje ishin mbajtur konfidenciale.

Sipas avokatit, Thaçi kërkon që këto prova t’i nënshtrohen shqyrtimit publik dhe mohon kategorikisht çdo përfshirje në vrasje.

Mbrojtja pretendon gjithashtu se disa prej përfundimeve të fajësisë janë mbështetur në prova të pamjaftueshme ose të pakonfirmuara dhe paralajmëron se këto çështje do të jenë pjesë e ankimit.

Njoftimi për apel pritet të depozitohet pranë Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu