
Pamjet e publikuara nga agjencia franceze e lajmeve AFP tregojnë qen dhe mace të veshura me kimono tradicionale, që shoqërohen nga pronarët e tyre në një tempull në Tokio për të marrë bekimin e priftërinjve.
Ceremonia është pjesë e festivalit japonez “Shichi-Go-San”, që do të thotë “Shtatë, Pesë, Tre”, një festë që tradicionalisht organizohet për fëmijët e moshave 3, 5 dhe 7 vjeç.
Por tani, krahas fëmijëve, në tempull po shfaqen gjithnjë e më shumë kafshë shtëpiake, të cilat trajtohen si anëtarë të familjes.
“Kjo mace është fëmija im, është familja ime”
Shoko Kodama, një japoneze 46-vjeçare, ka sjellë në tempull macen e saj pesëvjeçare të racës British Shorthair.
E veshur me kimono, macja është bërë pjesë e ceremonisë tradicionale të bekimit.
“Kjo vogëlushe është si fëmija im, është familja ime. Prandaj do të isha shumë mirënjohëse nëse do të mund të luteshim për të, njësoj siç bëjmë për një njeri. Kjo është arsyeja pse kam ardhur këtu”, shprehet Kodama për AFP.
Një tjetër pjesëmarrëse, Miyu Shiro, 23 vjeçe, ka ardhur në tempull së bashku me qenin e saj.
“Ashtu siç fëmijët marrin pjesë në ritualet Shichi-Go-San dhe luten për shëndet të mirë, edhe ne lutemi për shëndetin e qenve tanë. Prandaj kemi ardhur këtu”, tregon ajo.
View this post on Instagram
Pse japonezët po i çojnë kafshët në ceremonitë e fëmijëve?
Prifti Kenji Kaji, i tempullit Ichigaya Kamegaoka Hachimangu në Tokio, shpjegon se ky fenomen lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet demografike dhe shoqërore në Japoni.
Sipas tij, gjithnjë e më shumë njerëz që nuk kanë fëmijë, apo që i kanë rritur tashmë ata, zgjedhin të mirëpresin një qen ose mace si pjesë të familjes.
“Një nga faktorët është ndryshimi i strukturës familjare. Mendoj se po shtohen rastet kur njerëzit që nuk kanë fëmijë ose që kanë përfunduar rritjen e tyre, mirëpresin një qen apo mace si anëtar të familjes”, thotë prifti.
Ai pranon se do të ishte më mirë sikur festivali të vazhdonte të kishte më shumë fëmijë si pjesëmarrës, por thekson se shoqëria japoneze po ndryshon.
“Statusi i kafshëve shtëpiake si anëtarë të familjes është përshtatur gradualisht me kohët moderne”, shpjegon Kaji.
Kimono, fotografi dhe lutje për shëndetin e kafshëve
Gjatë ceremonisë së 31 tetorit, tempulli u mbush me pronarë që kishin veshur qentë dhe macet e tyre me kostume tradicionale japoneze.
Disa prej tyre fotografuan kafshët pranë faltoreve, ndërsa të tjerë shkruan dëshirat për shëndetin dhe mirëqenien e tyre në pllaka të vogla druri, të cilat më pas i varën në ambientet e tempullit.
Pamjet tregojnë se rituali, dikur i lidhur pothuajse ekskluzivisht me rritjen e fëmijëve, po përshtatet me një realitet të ri shoqëror.
Japonia përballë krizës së lindjeve
Japonia është një nga vendet që përballet prej vitesh me rënie të lindshmërisë dhe plakje të popullsisë.
Ndryshimi i mënyrës së jetesës, numri i lartë i personave që jetojnë vetëm dhe familjet gjithnjë e më të vogla kanë ndikuar edhe në marrëdhënien e japonezëve me kafshët shtëpiake.
Për shumë prej tyre, qeni apo macja nuk është thjesht një kafshë që jeton në shtëpi, por një pjesëtar i familjes, për shëndetin dhe lumturinë e të cilit zhvillohen edhe ceremoni fetare.
Pamjet nga Tokio tregojnë një paradoks të Japonisë moderne: ndërsa numri i fëmijëve po pakësohet, dashuria për kafshët shtëpiake po u jep një jetë të re traditave të vjetra.






