
Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur sot Endrit Shabanin në postin e Avokatit të Popullit, pas një seance votimi ku kandidatura e tij u miratua me 85 vota pro, 0 abstenime dhe vetëm 3 vota kundër. Sipas tabelës zyrtare të votimit, 51 deputetë të pranishëm nuk morën pjesë në votim.
Shabani siguroi shumicën e cilësuar të nevojshme për të marrë drejtimin e institucionit që ka në thelb mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe kontrollin ndaj administratës publike. Ai pritet të pasojë në detyrë Erinda Ballancën, e cila e përfundoi mandatin e saj.
Zgjedhja e Shabanit është shoqëruar me debate politike brenda dhe jashtë Kuvendit.
Kandidatura e tij edhe pse si fillim ishte pjesë e listës së depozituar nga PD shkaktoi një tërheqje të firmave dhe kërkesën për anulim të procesit. Por shumica nuk e mori parasysh.
Profil i shkurtër i Shabanit
Endrit Shabani, i lindur më 8 shkurt 1985, është akademik, studiues dhe aktivist publik, i njohur për rolin e tij në politikën alternative dhe angazhimet në shoqërinë civile. Në fund të vitit 2025, ai u propozua si kandidat për postin e Avokatit të Popullit, me firmat e deputetëve të opozitës, duke u bërë pjesë e një procesi të debatueshëm politik—pasi PD u tërhoq sepse e quajti kalë Troje të PS..
Shabani ka një formim të avancuar akademik: ai ka mbaruar juridikun, ka një Master of Science në edukim dhe është duke ndjekur doktoraturën në politikë në Universitetin e Oxfordit. Ka punuar si pedagog dhe ka marrë pjesë në projekte kërkimore dhe platforma ndërkombëtare, çka e ka vendosur si një prej zërave më aktivë të brezit të ri në çështjet e demokracisë, qeverisjes dhe pjesëmarrjes qytetare.
Në jetën publike, ai u bë i njohur për themelimin dhe drejtimin e Nisma Thurje, një lëvizje që lindi nga protestat studentore dhe synonte më shumë transparencë, kontroll të qytetarëve mbi institucionet dhe reformë të thellë zgjedhore. Në fillim të vitit 2025, lëvizja e tij u bashkua me platformën “Shqipëria Bëhet” të Adriatik Lapajt, duke krijuar koalicionin “Nisma Shqipëria Bëhet” për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025.
Shabani ishte pjesë e listës së kandidatëve për Tiranën në këtë koalicion, duke marrë pjesë aktive në fushatë së bashku me Lapajn. Koalicioni arriti të fitonte një mandat në kryeqytet, por pas zgjedhjeve lindën mosmarrëveshje për mënyrën e ndarjes së mandatit, çka tensionoi marrëdhëniet mes Shabanit dhe Lapajt duke degjeneruar në një sherr që i la të dy jashtë parlamentit.






