
Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne Mirditën. Një 45-vjeçar është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij në aksin rrugor Reps–Spaç, ndërsa dyshohet se është vrarë me armë zjarri.
Sipas informacionit paraprak të Policisë së Shtetit, rreth orës 07:10, në fshatin Shkorret është konstatuar brenda një automjeti tip Toyota trupi i pajetë i Valter Lleshit, 45 vjeç.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, forcat e policisë kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë nisur kontrolle intensive në zonë për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve të dyshuar.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për administrimin e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit.
Deri në këtë fazë të hetimeve nuk dihen motivet e ngjarjes, ndërsa policia pritet të japë detaje të tjera në vijim.






