Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit mes dy vendeve, ndërsa ceremonia zyrtare e nënshkrimit pritet të zhvillohet të premten në Zvicër. Lajmi u bë publik nga kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit ka luajtur rol ndërmjetësues në negociata.

Pak minuta pas njoftimit të Sharifit, presidenti amerikan Donald Trump konfirmoi marrëveshjen përmes platformës së tij Truth Social.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është e përfunduar”, shkroi Trump.

Sipas informacioneve paraprake, marrëveshja parashikon ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.

Burime të cituara nga Reuters bëjnë të ditur se drafti i marrëveshjes përfshin rihapjen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun ndërkombëtar detar, heqjen e bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe zgjatjen e armëpushimit aktual.

Presidenti Trump deklaroi se kalimi në Ngushticën e Hormuzit do të jetë i lirë për të gjitha anijet.

“Anije të botës, ndizni motorët. Le të rrjedhë nafta!”, shkroi ai.

Një pjesë e rëndësishme e marrëveshjes lidhet me programin bërthamor iranian. Sipas burimeve diplomatike, Irani është angazhuar të mos prodhojë apo sigurojë armë bërthamore dhe të mos zgjerojë aktivitetet e pasurimit të uraniumit gjatë 60 ditëve të negociatave shtesë që do të pasojnë.

Në këmbim, SHBA pritet të lirojë rreth 25 miliardë dollarë asete iraniane të ngrira dhe të lehtësojë një pjesë të sanksioneve ekonomike.

Marrëveshja u arrit pavarësisht tensioneve të reja në rajon, pasi Izraeli kreu të dielën sulme ajrore në periferinë jugore të Bejrutit, duke goditur objektiva të lidhura me Hezbollahun. Sulmi shkaktoi reagime të ashpra nga Teherani, i cili akuzoi Uashingtonin se nuk po kontrollon aleatin e tij.

Megjithatë, sipas deklaratave të fundit, palët kanë vendosur të vazhdojnë rrugën diplomatike, ndërsa vëmendja tashmë është përqendruar te ceremonia e nënshkrimit që mund të shënojë një nga zhvillimet më të rëndësishme gjeopolitike të viteve të fundit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu