
Protesta kundër kryeministrit Edi Rama ka hyrë në një fazë të re mobilizimi, teksa mbrëmjen e së dielës protestuesit zgjeruan itinerarin e marshimit deri në autostradën Tiranë-Durrës.
Pas më shumë se dy orësh tubim dhe fjalimesh para Kryeministrisë, pjesëmarrësit vijuan ecjen nëpër rrugët kryesore të kryeqytetit, duke përshkuar disa kilometra deri në zonën e Kthesës së Kamzës.
Nga aty, marshimi vazhdoi në drejtim të autostradës Tiranë-Durrës, ku protestuesit u panë duke lëvizur në grup me flamuj kombëtarë dhe pankarta në duar.
Kjo është një nga lëvizjet më të gjera të regjistruara që prej nisjes së protestave, të cilat kanë hyrë tashmë në ditën e 15-të radhazi dhe po zhvillohen paralelisht edhe në disa qytete të vendit, si dhe në komunitetet shqiptare jashtë Shqipërisë.
Gjatë marshimit nuk munguan thirrjet kundër qeverisë dhe klasës politike, ndërsa organizatorët e cilësuan zgjerimin e itinerarit si një tregues të rritjes së pjesëmarrjes dhe mbështetjes për protestën.
Tubimet nisën fillimisht si reagim ndaj projektit turistik në Zvërnec, por me kalimin e ditëve janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë me kërkesa politike dhe sociale.
Mbetet për t’u parë nëse protestuesit do të vijojnë mobilizimin edhe gjatë natës apo do të rikthehen me aksione të reja në ditët në vijim.






