
Për herë të parë në Europë, Forumi Ndërkombëtar FII (Future Investment Initiative) u mbajt në Tiranë, duke e kthyer Shqipërinë në një epiqendër të diskutimeve globale për inovacionin dhe investimet. Në qendër të forumit qëndroi pjesëmarrja e Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit francez Emmanuel Macron.
Në fjalën e tij hapëse, Kryeministri Rama vlerësoi mikpritjen shqiptare si një nga tiparet që e bën vendin një urë të besueshme midis Lindjes dhe Perëndimit. Ai theksoi përparimin e Shqipërisë në dhjetëvjeçarin e fundit, duke theksuar se vizioni i vendit tashmë është i përqendruar në bashkëpunimin strategjik me vende si Franca, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite.
“Askush nuk do ta kishte imagjinuar atë çfarë po ndodh sot. Shqipëria është më afër Europës dhe më e hapur ndaj botës se kurrë më parë”, tha Rama, duke vlerësuar gjithashtu zhvillimin e Kolegjit të Europës në Tiranë si një sinjal të qartë për pozicionin e ri të vendit në arenën europiane.
Presidenti Macron në fjalën e tij u ndal te nevoja për një strategji të re konkurruese për Europën. Ai kërkoi më shumë investime në sektorë kyç si mbrojtja, teknologjia e gjelbër dhe inteligjenca artificiale, duke theksuar se Europa duhet të kthehet në një fuqi gjeopolitike.
“Shqipëria është një derë hyrëse strategjike për Ballkanin dhe Mesdheun. Ju inkurajoj të investoni në këtë vend me potencial të jashtëzakonshëm dhe udhëheqje të fortë”, u shpreh Macron, duke konfirmuar mbështetjen e Francës për integrimin europian të Shqipërisë.
Forumi FII, i cili bashkon liderë botërorë, drejtues të korporatave dhe aktorë të rinj të inovacionit, përfaqëson një moment të rëndësishëm për pozicionimin e Shqipërisë në hartën e investimeve ndërkombëtare.