
Dhuna gjatë protestës në Tiranë është përshkallëzuar edhe në orët e mbrëmjes. Një grup protestuesish ka sulmuar Ministrinë e Drejtësisë, duke thyer xhamat dhe duke i vënë flakën godinës. Në shënjestër ka përfunduar edhe qendra tregtare Toptani, ku janë dëmtuar xhamat e fasadës, ndërsa policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar disa persona.
Sipas raportimeve të Report TV, rreth orës 19:34 protestuesit kanë sulmuar Ministrinë e Drejtësisë, duke shkaktuar dëme në godinë dhe duke ndezur zjarr. Ende nuk ka një bilanc të konfirmuar të dëmeve materiale apo të dhëna për persona të lënduar nga ky incident.
Vetëm pak minuta më vonë, rreth orës 19:41, aktet e dhunshme janë zhvendosur edhe te qendra tregtare Toptani, në zemër të kryeqytetit.

Një grup protestuesish ka goditur fasadën e qendrës tregtare, duke thyer xhamat. Forcat e policisë kanë ndërhyrë për të ndalur sulmin, ndërsa raportohet edhe për shoqërimin e disa personave.
Këto janë incidentet më të fundit të një dite të shoqëruar me sulme ndaj institucioneve shtetërore dhe pronës private.
Më herët, protestues të maskuar sulmuan Ministrinë e Arsimit, Ministrinë e Ekonomisë dhe Ministrinë e Financave, ku u raportuan zjarre, dyer e xhama të thyer dhe dëmtime të ambienteve të brendshme.
Në shënjestër përfunduan gjithashtu Kryeministria, Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese dhe Banka e Shqipërisë.
Aktet e dhunës u shtrinë edhe në zonën e Piramidës dhe të Kullave Binjake, ku u dëmtuan biznese, ndërsa disa ambiente u përfshinë nga flakët.
Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion për të shpërndarë grupet që sulmonin institucionet, duke u bërë vazhdimisht thirrje protestuesve të distancohen nga dhuna.
Protesta, e nisur me kërkesat e studentëve për përmirësimin e kushteve në universitete, është shoqëruar gjatë dy ditëve me përplasje të ashpra dhe shkatërrime në disa zona të Tiranës.






