
Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili reagon pas dhunës ndaj institucioneve gjatë protestës në Tiranë, duke akuzuar opozitën se po përpiqet të shfrytëzojë pakënaqësitë e të rinjve për qëllime politike.
“Shqipëria sot nuk digjet dot se i vutë flakën mureve, as se thyet xhama, as se shkulët semaforët”, shkruan Ismaili në reagimin e saj.
Ministrja thekson se demokracia, liria dhe zbatimi i ligjit nuk mbështeten te godinat, por te funksionimi i institucioneve dhe politikat që garantojnë të drejtat e qytetarëve.
Duke bërë një krahasim me të kaluarën, Ismaili kujton periudhën kur protestat përballeshin me dhunë shtetërore dhe humbje jetësh.
“Të njëjtat mure e godina kanë qenë e kanë ekzistuar edhe më parë, kur qytetarëve që protestonin u garantohej vetëm një gjë: marrja e jetës”, shprehet ajo.
Në reagimin e saj, ministrja dënon djegien e bizneseve, institucioneve dhe pemëve, duke akuzuar organizatorët e dhunës se i trajtojnë të rinjtë si instrument për betejat e tyre politike.
“Sot u dogjën biznese, institucione, pemë prej atyre që rininë e kanë parë asgjë më shumë e asgjë më pak sesa mish për top”, deklaron Ismaili.
Ministrja Ismaili përmend një sërë politikash dhe investimesh që dëshmojnë përparimin e vendit, nga ndërtimi dhe rikonstruksioni i shkollave te mbështetja për studentët, financimi i doktoraturave, kreditë studentore dhe programet e strehimit me kredi të buta.
Ismaili përmend gjithashtu rritjen e pensioneve, mbështetjen për fermerët dhe bizneset, sigurimet shoqërore, programet e praktikave të punës dhe zhvillimin e turizmit.
“Këto nuk fshihen, nuk harrohen e nuk zhbëhen as me flakë e as me dhunë. Nuk zhbëhen as me godina të shkatërruara”, nënvizon ministrja.
Një pjesë të kritikave ajo ua drejton edhe pedagogëve që po ushtrojnë presion ndaj studentëve për t’iu bashkuar protestave.
“Pedagogë që kërcënojnë studentët për të dalë në shesh, duke harruar se dega e PD-së është tjetërkund, larg auditorëve”, shkruan Ismaili, pa përmendur emra apo raste konkrete.
Ministrja kundërshton gjithashtu qëndrimet kritike ndaj ndërhyrjeve të policisë, duke argumentuar se forcat e rendit akuzohen si kur nuk arrijnë të parandalojnë shkatërrimet, ashtu edhe kur ndërhyjnë për t’i ndalur.
“Nëse huliganët thyejnë, djegin e shkatërrojnë, e konsideroni se është faji i policisë që nuk u garanton siguri, ama nëse policia ndërhyn, e konsideroni dhunë ndaj protestuesve. Hip se të vrava, zbrit se të vrava!”, shprehet ajo.
Në vijim, Ismaili i sheh aktet e dhunshme si të organizuara për të prishur karakterin paqësor të protestës dhe për të penguar dialogun me studentët.
Reagimin e saj ministrja e mbyll me mesazhin se përplasjet politike nuk duhet të zhvillohen në kurriz të studentëve dhe të perspektivës europiane të vendit.
“Në mes të gjithë këtij organizimi e pas tij është e njëjta dorë që, si kufomë politike, e vdekur dhe e pakallur ende, kërkon të ushqejë me gjak etjen e tij për pushtetin e munguar.
Krejt e kuptueshme përse, dëshpërimisht, pas çdo kapitulli që mbyllet me BE-në, ju doni të hapni një kapitull të ri dhune në Shqipëri.
Por jo mbi kurrizin e të rinjve dhe jo mbi kurrizin e Shqipërisë europiane!” përfundon reagimi i Ministres së Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin.






