Deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ka mbetur i lënduar gjatë përplasjeve mes protestuesve dhe forcave të policisë këtë të diel në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë.

Sipas raportimeve të Dosja.al, deputeti dyshohet se është goditur në shpinë me plumb gome nga policia. Pas incidentit, ai ka marrë ndihmën e parë në vendngjarje dhe më pas është transportuar me ambulancë për trajtim mjekësor.

Për ngjarjen ka reaguar kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili ka paralajmëruar ndjekje ligjore.

“Kjo është shpallje lufte! Do të përgjigjeni! Goditja ndaj një deputeti, në krye të detyrës, me plumb në trup, është një krim që do të marrë përgjigje ligjore dhe personale”, shkroi Bardhi, duke publikuar edhe një video nga vendngjarja.

Incidenti ndodhi gjatë përshkallëzimit të protestës së 29 Nëntorit, ku disa protestues hodhën molotovë, gurë dhe fishekzjarrë në drejtim të forcave të rendit, ndërsa policia ndërhyri me gaz lotsjellës dhe ujë me presion.

Një ditë më parë, gjatë protestës së 28 Nëntorit, u raportua edhe për lëndimin e deputetit Erald Kapri.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu