
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka publikuar pamje nga protesta e dhunshme e 13 tetorit përpara Ministrisë së Arsimit në Tiranë, ku një i ri shfaqet në gjendje të rënduar, teksa transportohet nga disa efektivë policie.
Në videon e shpërndarë në rrjetet sociale, i riu shihet duke u mbajtur nga duart dhe këmbët prej punonjësve të policisë, ndërsa duket se nuk është në gjendje të ecë vetë.
Noka pretendon se protestuesit i është thyer këmba gjatë ndërhyrjes policore dhe se ai ka humbur ndjenjat si pasojë e dhunës.
“I thyejnë këmbën studentit!!! Nga dhunimi e torturimi, djalit i ka rënë të fikët, ndërsa narkopolicia po e tërheq si leckë”, shkruan Noka në postimin që shoqëron videon.
Pamjet janë publikuar edhe nga Top Channel, ndërsa pretendimet për thyerjen e këmbës dhe humbjen e ndjenjave nuk shoqërohen ende me një konfirmim mjekësor apo zyrtar.
Videoja vjen pas përplasjeve të forta mes protestuesve dhe forcave të rendit, gjatë të cilave u dëmtua godina e Ministrisë së Arsimit dhe policia ndërhyri për shpërndarjen e turmës.
Sipas bilancit zyrtar të Policisë së Shtetit, 23 persona janë shoqëruar, ndërsa gjashtë efektivë dhe një gazetare kanë mbetur të lënduar.
Ngjarjet e protestës kanë shkaktuar reagime të forta politike, me përfaqësuesit e opozitës që akuzojnë policinë për përdorim të tepruar të forcës, ndërsa mazhoranca dënon sulmet ndaj efektivëve dhe institucioneve.






