
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka publikuar bilancin paraprak të personave të lënduar gjatë protestës së sotme në Tiranë.
Sipas informacionit të orës 14:00, mes personave të paraqitur në Spitalin Universitar të Traumës janë një efektiv policie, dy përfaqësues të medias, njëra prej tyre shtetase e huaj, dhe pesë protestues.
Të gjithë janë të vetëdijshëm, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore dhe po marrin trajtim mjekësor në shërbimin e urgjencës.
Ndërkohë, ekipet e Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore kanë trajtuar në vendngjarje tre protestues të lënduar, gjendja shëndetësore e të cilëve paraqitet e mirë.
Në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” nuk është paraqitur deri më tani asnjë person i lënduar nga protesta.






