
Policia e Shtetit ka pezulluar menjëherë nga detyra pesë punonjës policie, mes tyre edhe shefin e Rendit të Komisariatit Nr. 1 në Tiranë, pas publikimit të videos ku një 19-vjeçar i dëmtuar në këmbë shfaqet duke u transportuar nga efektivët pranë Parlamentit.
Vendimi është marrë me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pas pamjeve të publikuara në media gjatë protestës së 13 tetorit në kryeqytet.
Sipas njoftimit zyrtar, i riu, i identifikuar me inicialet L. B., ishte dëmtuar në këmbë dhe po shoqërohej nga punonjësit e policisë për t’u dërguar në spital, ku do të merrte ndihmë mjekësore.
Pamjet e mënyrës së transportimit të tij shkaktuan reagime të forta, ndërsa Policia e Shtetit njoftoi nisjen e menjëhershme të verifikimeve për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Katër efektivë dhe shefi i Rendit të Komisariatit Nr. 1, nënkomisar F. K., janë pezulluar nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj tyre.
Paralelisht, me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm është ngritur një grup i posaçëm që do të analizojë të gjitha veprimet e punonjësve të policisë gjatë protestës, nga fillimi deri në përfundim të saj.
Objekt i verifikimit do të jetë edhe respektimi i procedurave standarde të punës, si dhe çdo rast i mundshëm i tejkalimit të kompetencave nga efektivët.
Policia paralajmëron se çdo punonjës që rezulton të ketë shkelur procedurat do të mbajë përgjegjësi.
Ndërkohë, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka nisur hetimet për rastin, për të përcaktuar nëse ka pasur veprime të kundërligjshme nga punonjësit e policisë.
Në të njëjtin reagim, Policia e Shtetit dënoi aktet e dhunshme të regjistruara gjatë protestës, përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës.
Sipas saj, këto veprime nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë.
Policia u bëri thirrje personave të maskuar të ndalin aktet e dhunës, ndërsa qytetarëve u kërkoi të distancohen nga personat që përfshihen në shkatërrime.
Pezullimi i pesë punonjësve të policisë është masa e parë disiplinore e njoftuar pas publikimit të videos së 19-vjeçarit, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë përgjegjësitë konkrete për mënyrën e trajtimit të tij.






