
Një 65-vjeçar është vrarë me armë zjarri mëngjesin e kësaj të enjteje në Mirditë. Viktima është Viktor Bardhi, vëllai i Martin Bardhit, i cili u ekzekutua në një atentat në Rrëshen tre vite më parë.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 09:00, Viktor Bardhi është gjetur i pajetë brenda automjetit të tij në fshatin Ndërfushas. Nga të dhënat e para dyshohet se 65-vjeçari është qëlluar me armë zjarri.
Pas atentatit, është gjetur edhe një automjet i djegur, i cili dyshohet se është përdorur nga autorët. Policia ka ngritur pika kontrolli dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë.
Viktor Bardhi ishte vëllai i Martin Bardhit, i njohur edhe si Martin Marku, i cili u vra më 26 shtator 2023 në lokalin e tij pranë spitalit të Rrëshenit. Në atë atentat mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë.
Për momentin nuk është konfirmuar nëse vrasja e sotme lidhet me atentatin ndaj vëllait të tij apo me një zinxhir hakmarrjeje. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e motivit, dinamikës dhe identifikimin e autorëve.




