Kryetari i Delegacionit të Parlamentit Europian për Marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, kanë reaguar për protestat e fundit në vend. Në një deklaratë të përbashkët, dy eurodeputetët dënojnë sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës publike e private, ndërsa shprehin shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.

Në deklaratën e publikuar më 19 tetor, Tarquinio dhe Schieder shprehin shqetësimin e tyre të thellë për ngjarjet e fundit në Shqipëri, veçanërisht në Tiranë.

“Dënojmë përshkallëzimin e dhunshëm të këtyre protestave, sulmet ndaj institucioneve publike dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private”, thuhet në deklaratë.

Dy eurodeputetët u bëjnë thirrje protestuesve të tregojnë vetëpërmbajtje maksimale dhe të shmangin çdo akt dhune, duke theksuar se veprime të tilla nuk kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje dhe nuk kanë vend në demokraci.

Njëkohësisht, ata shprehin shqetësim serioz për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia ndaj protestuesve.

“U bëjmë thirrje autoriteteve të tregojnë vetëpërmbajtje. Gjithashtu, u kërkojmë organeve përkatëse të bëjnë gjithçka të mundur për të përcaktuar përgjegjësinë individuale për çdo akt dhune, përfshirë përdorimin e tepruar të forcës”, theksojnë Tarquinio dhe Schieder.

Në deklaratë nënvizohet se e drejta e tubimit paqësor dhe liria e shprehjes mbrohen nga Karta e të Drejtave Themelore e Bashkimit Europian dhe Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut.

“Protestuesit, në këtë rast të rinjtë, kanë të drejtë të shprehin pikëpamjet e tyre, veçanërisht për çështjet që ndikojnë drejtpërdrejt në të ardhmen e tyre”, thuhet më tej.

Dy eurodeputetët u kërkojnë autoriteteve shqiptare të mbrojnë ushtrimin e lirisë së tubimit, përfshirë të drejtën për protestë paqësore.

Ata bëjnë thirrje për një dialog paqësor, konstruktiv dhe të sinqertë ndërmjet të gjitha palëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje konkrete për shqetësimet e ngritura nga protestuesit, në përputhje me ligjet shqiptare dhe standardet europiane.

Në përfundim të deklaratës, Tarquinio dhe Schieder theksojnë se respektimi i shtetit të së drejtës mbetet kriteri themelor dhe kusht i detyrueshëm për përparimin e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu