
Dy shpërthime me lëndë plasëse janë regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në Durrës, me një diferencë prej vetëm 40 minutash. Ngjarjet kanë shkaktuar dëme materiale, ndërsa nuk raportohet për persona të lënduar.
Shpërthimi i parë ndodhi rreth orës 03:50, në lagjen nr. 11. Sipas Policisë, një sasi e vogël lënde plasëse është hedhur në derën e jashtme të një lokali në pronësi të shtetasit G. K.
Sipas raportimit të JOQ, pronari është Gëzim Kajno, person i dënuar për vrasjen e Asllan Kërtushës në vitin 2016. Nga shpërthimi janë shkaktuar dëme të lehta materiale.
Vetëm 40 minuta më vonë, rreth orës 04:30, një tjetër shpërthim është regjistruar në Shkallnur, në anë të aksit Plepa–Ndroq. Lënda plasëse është hedhur në derën e një garazhi automjeti, duke shkaktuar dëme materiale.
Policia nuk ka bërë të ditur nëse dy shpërthimet kanë lidhje mes tyre. Grupet hetimore, nën drejtimin e Prokurorisë, po mbledhin provat për të përcaktuar rrethanat dhe motivet, si dhe për të identifikuar dhe kapur autorin apo autorët.






