
Ka nisur shpërndarja e teksteve shkollore për vitin e ri, ndërsa këtë vit për herë të parë të gjithë nxënësit e arsimit fillor, nga klasa e parë deri në të pestën, do të pajisen me libra të rinj dhe falas. Ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro thotë se masa synon të lehtësojë familjet dhe t’u sigurojë fëmijëve mjetet e nevojshme që në nisje të mësimit.
Gjatë një vizite në shkollën “Andrea Stefani”, ministrja e Arsimit Mirela Kumbaro ndoqi nga afër nisjen e shpërndarjes së teksteve shkollore për vitin e ri.
Për herë të parë, të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e pestë do të marrin tekste të reja dhe falas.
Sipas Kumbaros, kjo nismë sjell më shumë lehtësi financiare për familjet, ndërsa synon që çdo fëmijë ta nisë vitin shkollor me mjetet e duhura për mësim.
Gjatë takimit me stafin pedagogjik të shkollës “Andrea Stefani”, ministrja diskutoi edhe përgatitjet dhe prioritetet për vitin e ri shkollor.
Në fokus është ndalimi i përdorimit të celularëve në shkolla, zbatimi i Kodit të Etikës për mësuesit, si dhe vijimi i programit “Pas Shkolle”.
Ky program do të zbatohet në 408 shkolla në të gjithë vendin.






