
Rama ka lëshuar kritika të forta ndaj Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, duke i cilësuar si “fytyra e dështimit të reformës në drejtësi”.
Duke folur për pagat në administratën publike, Rama iu referua debatit të fundit për pagat e magjistratëve, duke vënë përballë KLGJ-në dhe KLP-në me SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme.
“SPAK dhe Gjykata e Posaçme janë fytyra e suksesit, ndërsa KLP dhe KLGJ janë fytyra e dështimit të reformës në drejtësi”, deklaroi Rama.
Kryeministri kritikoi gjithashtu kërkesat për paga më të larta në sistemin e drejtësisë, duke i krahasuar ato me nivelin e pagave të administratës publike.
“Kur KLGJ-së dhe KLP-së nuk iu mjafton paga, imagjinoni administratën. I kanë pagat disa herë më të larta se ne këtu”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te performanca e administratës, duke e cilësuar mosndëshkimin e performancës negative si një nga problemet që duhet adresuar. Në të njëjtën kohë, ai vlerësoi punonjësit e administratës që kanë përfaqësuar Shqipërinë në procesin e negociatave me Bashkimin Europian.






