
Kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ka ironizuar procesin e zgjedhjeve për kreun e Partisë Demokratike, duke publikuar në rrjetet sociale një foto të krijuar me Inteligjencë Artificiale ku Sali Berisha shfaqet në një ring boksi përballë vetvetes.
Në imazh, një version i Berishës me ngjyrat blu dhe simbolin e PD-së përballet me një tjetër figurë të tij, ndërsa arbitri i ngre dorën “fituesit”. Në sfond lexohet mesazhi: “Zgjedhjet në PD, kryetar pa rival”.
Krahas fotos, Balla shkruan me ironi: “Pas një gare tepër të fortë, shpallet fituesi”.
Reagimi i Ballës erdhi pasi më herët gjatë ditës iu bashkua aktivitetit të anëtarësimeve të reja të Partisë Socialiste në Vorë, ku 329 anëtarë iu bashkuan PS-së.
Në fjalën e tij, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Drejtues Politik i PS për Tiranën, Taulant Balla, vendosi theksin te objektivi për integrimin europian të Shqipërisë.
“Dasma më e bukur e Partisë Socialiste është martesa me Bashkimin Europian, që mezi e presim dhe që jemi shumë të sigurt se do ta bëjmë përpara zgjedhjeve të vitit 2029”, deklaroi ai.
Duke komentuar zhvillimet në opozitë, Balla ironizoi edhe procesin e votimit në PD, duke thënë se rezultati ishte i paracaktuar.
“E keni parë atë krahun e bufit? Në fillim thanë do bëjmë zgjedhje, u regjistru Salianji, u regjistru Meremja, pastaj na e hoqën Meremen. Tani nga zgjedhjet thonë do bëjmë referendum. E duam Saliun, nuk e duam Saliun. Votoni si të doni demokratë, 100% do dalë Saliu”, u shpreh Balla.
Ai kërkoi më shumë angazhim nga strukturat socialiste në terren, ndërsa u tha të rinjve të anëtarësuar se PS ka qenë gjithmonë “në krahun e duhur të historisë”.






