
Moti i keq që ka përfshirë Kosovën ka shkaktuar dëme në disa zona të vendit. Erërat e forta dhe reshjet intensive kanë rrëzuar pemë, kanë dëmtuar automjete dhe kanë shembur minaren e një xhamie.

Në fshatin Plluzhinë të Skenderajt, si pasojë e erërave të fuqishme është rrëzuar minarja e xhamisë. Deri më tani nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa reshjet e shiut vijojnë.
Dëme janë shënuar edhe në Brezovicë, ku një lis është rrëzuar mbi dy automjete, duke shkaktuar dëme materiale. Sipas informacioneve paraprake, edhe në këtë rast nuk ka persona të lënduar.
Ndërkohë, kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, bëri të ditur se stuhia ka shkaktuar dëme në qytet dhe në disa fshatra përreth, duke u bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike.
Kosova vijon të përballet me mot të paqëndrueshëm, ndërsa autoritetet u kanë bërë apel qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat e prekura nga erërat e forta dhe reshjet.






