Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka reaguar ashpër ndaj thirrjes së Rusisë që diplomatët dhe qytetarët e huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të paralajmëruara.

Në një postim në rrjetin social X, Hoxha e cilësoi njoftimin rus si “krejtësisht të papranueshëm”, duke theksuar se kërcënimi ndaj ambasadave nuk përbën diplomaci, por intimidim dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

“Shqipëria nuk do të tërhiqet. Ne mbetemi në Kiev. Ne qëndrojmë fort me Ukrainën dhe nuk do të intimidohemi”, deklaroi ministri shqiptar.

Sipas tij, paralajmërimet për sulme ndaj kryeqytetit ukrainas dhe thirrjet për largimin e trupit diplomatik bien ndesh me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike.

Hoxha theksoi se zgjidhja e konfliktit nuk mund të vijë përmes përshkallëzimit të luftës apo sulmeve ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile.

“E vetmja rrugë përpara është t’i jepet fund një lufte që nuk duhej të kishte filluar kurrë dhe angazhim në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe”, shkroi ai.

Ministri bëri me dije gjithashtu se ky qëndrim i është përcjellë qartë edhe ambasadorit rus në Tiranë.

Reagimi i Shqipërisë vjen pasi Rusia u kërkoi ambasadave të huaja të largojnë personelin nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara, në një moment kur tensionet mes Moskës dhe Ukrainës vijojnë të mbeten të larta.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu