Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, zhvilloi një takim me ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në kuadër të takimit ministror të Procesit të Berlinit në Pržno të Malit të Zi.

Në qendër të bisedimeve ishte rrugëtimi i Shqipërisë drejt Bashkimit Europian dhe vijimi i reformave të lidhura me procesin e anëtarësimit.

Hoxha vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për zgjerimin e BE-së dhe, në veçanti, për anëtarësimin e Shqipërisë.

“Shpreha vlerësimin tonë të thellë për mbështetjen e qartë, konsistente dhe të vazhdueshme të Gjermanisë për procesin e zgjerimit të BE-së dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi Hoxha pas takimit.

Sipas ministrit të Jashtëm, angazhimi i Berlinit për një proces zgjerimi të besueshëm dhe të bazuar në merita është i rëndësishëm për ruajtjen e ritmit të integrimit dhe avancimin e perspektivës europiane të Ballkanit Perëndimor.

Hoxha theksoi se agjenda e reformave të Shqipërisë dhe përmbushja e prioriteteve në negociatat e anëtarësimit mbeten përcaktuese për të ardhmen europiane të vendit.

“Ne mbetemi plotësisht të përkushtuar për të përmbushur zotimet tona dhe për të avancuar mbi bazën e meritave, ndërsa punojmë ngushtë me Gjermaninë dhe partnerët tanë europianë drejt një Europe më të fortë, më të bashkuar, më të sigurt dhe më të qëndrueshme”, deklaroi Hoxha.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu