Vendet kandidate mund të fillojnë të marrin disa prej përfitimeve të Bashkimit Europian pa pritur anëtarësimin e plotë. Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, ka bërë të ditur se BE po shqyrton mundësinë e një integrimi gradual për shtetet që përmbushin kriteret në fusha të caktuara.

Kos shpjegoi se rezultatet e rishikimit para-anëtarësimit pritet të publikohen më 6 tetor. Synimi është të përcaktohen sektorët ku vendeve kandidate mund t’u ofrohet “më shumë Europë” përpara se të bëhen anëtare me të drejta të plota.

Komisionerja sqaroi se kjo formulë nuk do të zëvendësojë anëtarësimin, por do t’u mundësojë vendeve që plotësojnë standardet të integrohen më herët në fusha të veçanta.

Një nga shembujt konkretë lidhet me roaming-un. Sipas Kos, vendet e Ballkanit Perëndimor pritet të përfitojnë nga lehtësi që deri tani kanë qenë kryesisht të lidhura me shtetet anëtare të BE-së.

Në këtë proces, komisionerja veçoi edhe ecurinë e Shqipërisë.

“Shqipëria po përparon shumë mirë”, deklaroi Kos, ndërsa e cilësoi vitin 2026 si një vit të rëndësishëm për zgjerimin.

Sipas saj, gjatë nëntë muajve të parë të këtij viti janë hapur ose mbyllur më shumë kapituj negociues se në çdo vit tjetër gjatë 25 viteve të fundit.

Kos përmendi gjithashtu Malin e Zi, Moldavinë dhe Ukrainën mes vendeve që po udhëheqin dinamikën aktuale të zgjerimit, duke deklaruar se një ritëm i tillë nuk është parë që prej anëtarësimit të Kroacisë në vitin 2013.

“Jam optimiste për zgjerimin. Ky vit është vërtet viti i zgjerimit dhe veçanërisht kjo vjeshtë do të jetë vjeshta e zgjerimit”, tha komisionerja europiane.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu