Një valë mesazhesh mashtruese në celular po synon të vjedhë të dhënat bankare të qytetarëve në Shqipëri. Raiffeisen Bank ka paralajmëruar klientët për sulmet e tipit “smishing”, ku mashtruesit përdorin emrin e bankës për t’i bindur viktimat të dorëzojnë të dhëna personale, numrat e kartave dhe kodet e sigurisë.

Skema nis me një SMS që krijon ndjesinë e urgjencës. Klientit mund t’i thuhet se duhet të përditësojë menjëherë të dhënat, përndryshe shërbimet ose llogaria e tij mund të pezullohen.

Mesazhi përmban një link, i cili e drejton përdoruesin drejt një faqeje ku i kërkohet të vendosë të dhënat e kartës, informacionin personal dhe kodet njëpërdorimshe OTP.

Dorëzimi i këtyre të dhënave mund t’u japë mashtruesve mundësinë të kryejnë veprime financiare të paautorizuara.

Raiffeisen u kërkon klientëve të mos klikojnë linket që mbërrijnë përmes SMS-ve dhe të mos japin në faqe të tilla numrin e kartës apo kodet e sigurisë të marra në telefon.

Përdoruesit këshillohen që adresën zyrtare të bankës ta shkruajnë vetë në shfletues dhe të raportojnë çdo komunikim të dyshimtë.

Nëse një klient ka klikuar në një link të tillë ose ka dhënë të dhënat e tij, udhëzimi është që të kontaktojë menjëherë bankën.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu