
Shqipëria ishte pjesë e paradës tradicionale ushtarake të 14 Korrikut në Paris, një nga ceremonitë më të rëndësishme shtetërore të Francës, ku Forcat e Armatosura shqiptare parakaluan në bulevardin Champs-Élysées me flamurin kuqezi.
Kontingjenti shqiptar mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e Festës Kombëtare të Francës, përkrah forcave ushtarake dhe delegacioneve nga vende të tjera, në praninë e presidentit Emmanuel Macron dhe personaliteteve të larta ndërkombëtare.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Paris me ftesë të presidentit francez, publikoi pamje nga parada në rrjetet sociale, duke shprehur krenarinë për pjesëmarrjen e Shqipërisë.
“Champs-Élysées, Paris – Parada e Madhe e 14 Korrikut. Krenar për Shqipërinë”, shkroi Rama.
Pjesëmarrja e Shqipërisë në paradën ushtarake vjen pas pjesëmarrjes së kryeministrit në Samitin e Koalicionit të Vullnetarëve për Ukrainën, të zhvilluar një ditë më parë në Paris.
Parada e 14 Korrikut përkujton marrjen e Bastijës në vitin 1789, ngjarje që shënoi fillimin e Revolucionit Francez, dhe konsiderohet ceremonia më e madhe ushtarake dhe simbolike e Francës.






