Mazhoranca ka prezantuar zyrtarisht propozimin për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0, e cila parashikon uljen e numrit të bashkive në Shqipëri nga 61 në 46, duke argumentuar se ndryshimet synojnë rritjen e efikasitetit të pushtetit vendor dhe përgatitjen e vendit për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Deputetët socialistë, anëtarë të Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale, u kanë dërguar kryetarëve të bashkive dhe këshillave bashkiakë projektligjin, raportin analitik të ekspertëve, hartat dhe dokumentacionin shoqërues, duke u kërkuar që brenda 60 ditëve të zhvillojnë konsultime me qytetarët dhe të japin opinionin e tyre.

Sipas mazhorancës, reforma mbështetet në analizën e dhjetë viteve të funksionimit të ndarjes aktuale territoriale, duke vlerësuar se modeli i vitit 2014 forcoi bashkitë, por zhvillimet demografike dhe ekonomike kanë krijuar nevojën për një organizim të ri. Po ashtu argumentohet se integrimi europian kërkon bashki me kapacitete më të forta administrative dhe financiare, pasi një pjesë e madhe e legjislacionit të BE-së zbatohet në nivel vendor.

Modeli i ri ruan bashkinë si njësinë bazë të vetëqeverisjes vendore, por krijon një nivel të ri organizimi, “Qytetin”, i cili do të ketë rol më të madh në përfaqësim, planifikim dhe koordinimin e shërbimeve. Skema aktuale “Bashki – Njësi Administrative” zëvendësohet me modelin “Bashki – Qytet – Njësi Administrative”.

Reforma parashikon bashkimin e 28 bashkive në 13 bashki të reja. Ndër bashkimet e propozuara janë Fushë-Arrëzi me Pukën, Rrogozhina me Kavajën, Patosi me Fierin, Divjaka me Lushnjën, Maliqi me Korçën, Libohova me Gjirokastrën dhe Prrenjasi me Librazhdin. Ndërkohë, bashki si Pusteci, Finiqi, Dropulli, Tropoja, Hasi, Skrapari dhe Konispoli mbeten të pandryshuara për shkak të veçorive gjeografike dhe demografike.

Sipas propozimit, rreth 225 mijë banorë preken drejtpërdrejt nga bashkimi i bashkive, ndërsa të gjitha njësitë administrative ekzistuese do të ruhen, së bashku me emërtimet dhe simbolet e tyre.

Mazhoranca fton opozitën të shqyrtojë paketën dhe të kontribuojë për arritjen e një konsensusi politik për reformën, ndërsa thekson se procesi tashmë kalon në fazën e konsultimit publik me bashkitë dhe qytetarët.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu