
Mes protestave studentore dhe përplasjeve me policinë, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar mbajtjen e seancës plenare të enjten, më 22 tetor, në orën 10:00. Në rendin e ditës është përfshirë një interpelancë urgjente me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo, e kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, pas tensioneve dhe pretendimeve për dhunë policore ndaj protestuesve.
Seanca plenare është thirrur me urdhër të kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, të firmosur më 20 tetor 2026.
Në pikën e tretë të rendit të ditës parashikohet interpelanca urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga deputetët demokratë në mbështetje të nenit 80 të Kushtetutës dhe nenit 97 të Rregullores së Kuvendit.
Interpelanca vjen pas disa ditësh protestash të studentëve dhe të rinjve në Tiranë, të shoqëruara me përplasje me forcat e rendit, arrestime dhe akuza për përdorim të tepruar të forcës nga policia.
Në Kuvend edhe ministrat Karakaçi dhe Malaj
Përveç ministrit të Brendshëm, në seancën e së enjtes janë parashikuar edhe dy interpelanca me ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi.
E para është kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj, ndërsa e dyta nga deputeti Tedi Blushi.
Ky i fundit ka kërkuar gjithashtu një interpelancë me ministrin e Financave, Petrit Malaj.
Reforma territoriale dhe ligji kundër pastrimit të parave
Në rendin e ditës është përfshirë edhe projektvendimi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për fazën e dytë të Reformës Administrativo-Territoriale.
Deputetët pritet të shqyrtojnë gjithashtu projektligjin për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, si dhe ndryshimet në ligjin për shërbimet e pagesave.
Për diskutim janë parashikuar edhe ratifikimi i Konventës së Këshillit të Europës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit dhe marrëveshja me Maqedoninë e Veriut për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar.
Në rendin e ditës përfshihen gjithashtu ndryshimet në ligjin për të drejtat e autorit dhe projektligji për treguesit gjeografikë të produkteve artizanale dhe industriale.
Seanca do të mbyllet me diskutime për çështje jashtë rendit të ditës, ku deputetët do të kenë mundësi të trajtojnë edhe zhvillimet politike të ditëve të fundit.






