
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj protestës së studentëve dhe pedagogëve, të cilët kanë refuzuar ftesën e tij për dialog. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama ka komentuar me ironi thirrjet e protestuesve të mbledhur përpara Kryeministrisë.
Në postimin e publikuar këtë të martë, kryeministri ka shpërndarë pamje nga protesta, duke iu referuar thirrjeve për dorëheqjen e tij dhe kundërshtimit të dialogut.
“Tani, kush do dialog, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë”, shprehet Rama, duke përsëritur gatishmërinë për t’u takuar me protestuesit.
Më pas, ai rendit disa prej thirrjeve që dëgjohen gjatë tubimit:
“Dorëheqje!”
“Poshtë diktatura!”
“Poshtë komunizmi!”
“S’duam dialog!”
“Deri tani këto janë idetë e pedagogëve dhe të intelektualëve që janë mbledhur këtu poshtë”, shkruan kryeministri.
Reagimi i Ramës vjen pas tensioneve të regjistruara gjatë protestës së sotme, ku studentëve u janë bashkuar edhe pedagogë që kërkojnë largimin e tij nga drejtimi i qeverisë.
Më herët, kryeministri kishte vendosur përpara godinës së qeverisë karrige me mbishkrimin “Dialog”, duke ftuar protestuesit për një takim pa kushte. Karriget u përmbysën nga protestuesit rreth një orë pas vendosjes së tyre.
Pavarësisht refuzimit të shprehur nga pjesëmarrësit në tubim, Rama ka përsëritur se ai dhe qeveria mbeten të gatshëm për dialog.






