
Protesta e studentëve në Tiranë po merr mbështetje nga gjithnjë e më shumë grupe të shoqërisë. Pas pedagogëve, mjekëve dhe përfaqësuesve të bizneseve, edhe Sindikata e Pavarur e Artit, Kulturës dhe Medias e Shqipërisë ka njoftuar se do t’i bashkohet tubimit kombëtar të së shtunës, më 24 tetor, përpara Kryeministrisë.
Përmes një deklarate publike, sindikata u ka bërë thirrje artistëve, punonjësve të kulturës dhe medias, si dhe të gjithë anëtarëve të saj, të dalin në protestë në orën 11:00, në solidaritet me studentët, të rinjtë dhe qytetarët.
“Jemi punëmarrës, jemi prindër, jemi qytetarë. E ardhmja e këtij vendi është edhe përgjegjësia jonë”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Përfaqësuesit e artistëve theksojnë se pjesëmarrja në protestë nuk lidhet vetëm me mbështetjen ndaj studentëve, por edhe me kërkesat për përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të punës në Shqipëri.
Pagat dhe pensionet dinjitoze, siguria në punë, mbrojtja sociale dhe liria e shprehjes janë disa nga çështjet që sindikata kërkon të vendosen në qendër të vëmendjes.
“Misioni ynë sindikal na kërkon të jemi pranë njerëzve, të mbrojmë dinjitetin dhe të ngremë zërin për paga e pensione dinjitoze, siguri në punë, mbrojtje sociale dhe lirinë për të folur pa frikë”, theksohet në deklaratë.
Sindikata ka bërë të qartë se pjesëmarrja e saj në protestë do të jetë aktive dhe paqësore, duke e konsideruar artin, kulturën dhe fjalën e lirë si pjesë të angazhimit qytetar.
“Nesër do të jemi në shesh, aktivisht dhe paqësisht, me artin, kulturën dhe fjalën e lirë në krah të qytetarëve. Me besimin se bashkë mund të ndërtojmë një të ardhme që u jep të rinjve arsye për të qëndruar dhe shpresë për të ecur përpara”, shprehet sindikata.
Bashkimi i sindikatës së artistëve është një tjetër zhvillim në prag të protestës së 24 tetorit, ndërsa thirrjet për pjesëmarrje po shtrihen përtej universiteteve, duke përfshirë edhe përfaqësues të profesioneve dhe sektorëve të ndryshëm.
Takimi është njoftuar për të shtunën, në orën 11:00, përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë.
“Bashkë për dinjitet, për të drejta dhe për një të ardhme me shpresë!”, është mesazhi me të cilin sindikata përmbyll thirrjen për protestë.






