
Deputetja e Partisë Socialiste, Romina Kuko, kërkoi nga foltorja e Kuvendit miratimin e një kuadri të ri ligjor për rregullimin e platformave dixhitale, duke argumentuar se dëmi më i madh ndaj shoqërisë nuk ndodh më në ekranet televizive, por në internet.
Gjatë diskutimit për raportin e Autoritetit të Mediave Audiovizive (AMA), Kuko tha se Shqipëria duhet të transpozojë sa më shpejt Digital Services Act (DSA) të Bashkimit Europian dhe të krijojë një Koordinator Kombëtar të Shërbimeve Dixhitale, në kuadër të negociatave për Kapitullin 10.
Sipas saj, platformat duhet të kenë detyrim ligjor të identifikojnë profilet false, bot-et dhe rrjetet e organizuara të trollëve që manipulojnë opinionin publik, përhapin panik ose dëmtojnë individë e biznese.
Deputetja theksoi se Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut e ka përcaktuar prej vitesh se portalet online kanë detyrim të moderojnë komentet që nxisin dhunë ose terrorizëm, duke shtuar se përgjegjësia nuk mund të mbetet vetëm te komentuesit anonimë.
Kuko ngriti shqetësimin edhe për rritjen e dhunës online ndaj të miturve. Sipas saj, rastet e referuara nga Policia e Shtetit janë rritur nga 122 në vitin 2021 në 461 në vitin 2024, ndërsa vetëm gjatë vitit 2025 platforma iSIGURT.al ka regjistruar 615 raportime, 46% më shumë se një vit më parë. Ajo tha se 71% e viktimave janë vajza, ndërsa 82% e rasteve lidhen me TikTok.
Deputetja propozoi gjithashtu që numrat telefonikë të përdorur nga të miturit të regjistrohen në një regjistër të veçantë dhe të kenë akses në internet të filtruar sipas moshës, me përgjegjësi ligjore për prindërit.
“Liria e fjalës është e shenjtë, por nuk mund të përdoret si mburojë për dhunën e organizuar. Përgjegjësia bie mbi individët, por mbi të gjitha mbi platformat”, u shpreh Kuko.






