Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në SPAK një kallëzim penal ndaj kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, për financimin me 4.2 milionë euro të koncertit të artistit Kanye West në Tiranë.

Në kallëzim, PD akuzon Ramën dhe Gonxhen për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, duke pretenduar se fondi rezervë i buxhetit të shtetit është përdorur në kundërshtim me ligjin.

Kallëzimit iu përgjigj nga foltorja e Kuvendit kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e cilësoi vendimin e opozitës si qesharak.

“Zbuluam pse Partia Demokratike ka bojkotuar seancën. Kanë shkuar të kallëzojnë penalisht Kanye West. U gjet edhe armiku i radhës i shqiptarëve. Hyjmë në listën e lajmeve qesharake në botë”, deklaroi Balla.

Ai mbrojti vendimin e qeverisë për financimin e koncertit, duke argumentuar se aktivitete të tilla i shërbejnë promovimit ndërkombëtar të Shqipërisë.

“Nuk mund të degradohet debati politik deri në pikën që një koncert me jehonë botërore të bëhet objekt kallëzimi penal. Ai ishte një moment që i dha Shqipërisë një promovim të jashtëzakonshëm ndërkombëtar”, tha Balla.

Sipas Partisë Demokratike, përdorimi i fondit rezervë për financimin e një aktiviteti të planifikuar bie ndesh me ligjin dhe krijon avantazh të padrejtë për një operator privat. Ndërkohë, mazhoranca e konsideron vendimin një investim në imazhin dhe promovimin e vendit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu