
Shërbimi sekret izraelit Mossad u përpoq për disa vite të rekrutonte ish-presidentin iranian Mahmoud Ahmadinejad me synimin që ai të drejtonte një Iran të ri në rast të rrëzimit të regjimit islamik. Kështu raporton The Guardian, duke iu referuar publikimeve të The New York Times dhe gazetës izraelite Haaretz.
Sipas raportit, operacioni nisi në vitin 2022, pasi Ahmadinejad kishte hyrë në konflikt me udhëheqjen iraniane dhe kishte nisur të distancohej nga lideri suprem Ali Khamenei. Inteligjenca izraelite e konsideroi atë një figurë që mund të luante rol në një tranzicion të mundshëm politik në Iran.
Raportohet se ish-kreu i Mossadit, David Barnea, udhëtoi në Budapest për t’u takuar personalisht me Ahmadinejadin, i cili ndodhej në Hungari për një konferencë. Pas këtij takimi, Mossadi informoi CIA-n se kishte vendosur kontakt me ish-presidentin iranian.
Sipas mediave, Mossadi financoi disa nga udhëtimet dhe shpenzimet e Ahmadinejadit, ndërsa agjentët izraelitë zhvilluan disa takime me të në Hungari. Operacioni mori emrin “Puss in Boots”, por brenda Izraelit shkaktoi debate. Ish-këshilltari për sigurinë kombëtare Tzachi Hanegbi e quajti planin “fantazi të çmendura”, ndërsa shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, kërkoi pezullimin e tij. Megjithatë, sipas raportimeve, kryeministri Benjamin Netanyahu urdhëroi vazhdimin e operacionit.
Raporti pretendon se pas nisjes së sulmeve amerikano-izraelite ndaj Iranit, Ahmadinejad u nxor nga banesa e tij në Teheran nga katër agjentë të Mossadit dhe u dërgua në një vend të sigurt. Më pas ai u largua në rrethana të paqarta dhe besohet se u vu në paraburgim nga krahu i inteligjencës së Gardës Revolucionare Iraniane.
Ahmadinejad, i cili gjatë presidencës së tij (2005-2013) njihej për retorikën e ashpër kundër Izraelit, mohimin e Holokaustit dhe mbështetjen e programit bërthamor iranian, thuhet se më vonë ndryshoi imazhin e tij publik, mësoi anglisht dhe kritikoi disa politika të regjimit.
Megjithatë, ekspertë të cituar nga The Guardian shprehen skeptikë për raportimet, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyen pse Mossadi do ta linte Ahmadinejadin të largohej nëse kishte investuar kaq shumë në këtë operacion.






