
Protesta para Kuvendit ka hyrë në ditën e 54-t, ndërsa qytetarët kanë rrethuar godinën e Parlamentit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime politike.
Mes masave të forta të sigurisë, deputetët e Partisë Demokratike mbërritën në Kuvend dhe hynë në godinë nga hyrja dytësore, ndërsa jashtë vijuan tensionet mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Kryetari i PD-së, Sali Berisha, kërkoi shpërndarjen e Kuvendit, duke deklaruar se vetëshpërndarja është i vetmi vendim që, sipas tij, mund të marrë aktualisht Parlamenti.
“I vetmi akt i përgjegjshëm është të deklarojë fundin e tij, shkrirjen e tij dhe t’i hapë rrugë zgjidhjes që kërkojnë qytetarët shqiptarë. Çdo akt tjetër është i pavlerë. Ne kërkojmë sot vetëshpërndarjen e këtij Parlamenti”, u shpreh Berisha.
Ndërkohë, Policia e Shtetit ka vendosur gardhe metalike dhe forca të shumta policore e të FNSH-së për të garantuar sigurinë gjatë zhvillimit të seancës plenare.






