Bashkimi Evropian ka dënuar deklaratën e ministres serbe për Administratë Publike dhe Vetëqeverisje Lokale, Snezhana Paunoviq, e cila deklaroi se, po të ishte në vend të ish-presidentit serb Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën”.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anitta Hipper, tha se në Evropë nuk ka vend për retorikë që justifikon ose promovon spastrimin etnik.

“Deklarata të tilla bien ndesh me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimit, llogaridhënies dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore, mbi të cilat është ndërtuar Bashkimi Evropian”, deklaroi Hipper.

Ajo theksoi se retorika e tillë bie gjithashtu në kundërshtim me angazhimet që Serbia ka marrë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, duke kërkuar nga të gjithë liderët të shmangin deklaratat nxitëse dhe të kontribuojnë në stabilitetin rajonal.

Deklarata e ministres serbe ka shkaktuar reagime edhe brenda Serbisë. Lëvizja e Qytetarëve të Lirë (PSG) kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të Paunoviqit, duke e akuzuar për promovim të spastrimit etnik dhe përdorim të gjuhës së urrejtjes.

Edhe deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, e cilësoi deklaratën si skandaloze dhe të papranueshme, duke paralajmëruar se do të kërkojë shkarkimin e saj.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu