
Studiuesi Auron Tare deklaroi se Ivanka Trump dhe bashkëshorti i saj Jared Kushner nuk kishin asnjë njohuri paraprake për Sazanin dhe Zvërnecin përpara vizitës së tyre në Shqipëri.
I ftuar në emisionin “Now” me Erla Mëhillin, Tare tha se ka qenë vetë ai që i ka shoqëruar për herë të parë në këto zona dhe se investitorët amerikanë nuk i kishin vizituar apo dëgjuar më parë.
“Që të dy ata, dhe ata që ishin aty me ta, as nuk e dinin ku binte Zvërneci dhe nuk e kishin dëgjuar për Zvërnecin. As Sazanin nuk e njihnin. Shkuan e panë, ju pëlqeu shumë si ide dhe më vonë kanë diskutuar”, u shpreh Tare.
Sipas tij, personat që i orientuan drejt projektit vepruan me atë që ai e quajti “arrogancë shqiptare”, duke u dhënë garanci se çdo problem mund të zgjidhej më pas.
Tare theksoi se zanafilla e debatit aktual nuk lidhet me investitorët, por me ndryshimet ligjore të miratuara në vitin 2024 për zonat e mbrojtura.
“Zanafilla e gjithë kësaj zallamahie është amendimi i ligjit të zonave të mbrojtura që ndodhi para dy vitesh, në 2024-ën, i cili lejoi që jo vetëm në Zvërnec, por në të gjitha zonat e mbrojtura të Shqipërisë të futen ndërtime”, deklaroi ai.
Studiuesi paralajmëroi se kjo çështje mund të shndërrohet në një problem më të gjerë në të ardhmen, pasi sipas tij ndryshimet ligjore prekin të gjitha zonat e mbrojtura të vendit.
Megjithatë, Tare nënvizoi se investitorët e përfshirë janë seriozë dhe se investimet e mëdha janë të rëndësishme për Shqipërinë, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë politik.
“Janë të përfshirë njerëz seriozë, investime shumë të mëdha të cilat absolutisht i duhen Shqipërisë. Por nuk i duhen në këtë mënyrë dhe nuk i duhen në zona të mbrojtura”, tha ai.
Sipas Tares, nëse do të ishte konsultuar më herët komuniteti i ekspertëve dhe profesionistëve të fushës, investimi mund të ishte orientuar jashtë zonave të mbrojtura, duke shmangur konfliktin e sotëm.



