Thatësira uli në mënyrë dramatike prurjet e lumit. Ushtria përdori 180 kilogramë eksploziv për të siguruar ujin e nevojshëm për ftohjen e reaktorit të Cernavodës.

Ushtria rumune ka kryer një shpërthim të kontrolluar në shtratin e Danubit për të devijuar më shumë ujë drejt centralit bërthamor të Cernavodës, i cili rrezikonte ndërprerjen e plotë të prodhimit.

Pas një tentative të dështuar, Marina përdori 180 kilogramë eksploziv për të copëtuar një formacion shkëmbor dhe për ta drejtuar ujin e një kanali pranë rezervuarit të centralit.

Njëri nga dy reaktorët ishte ndalur për shkak të prurjeve të pamjaftueshme, ndërsa autoritetet druheshin se edhe njësia e dytë mund të dilte jashtë funksionit. Centrali siguron normalisht rreth 20 për qind të energjisë elektrike të Rumanisë.

Prurjet e Danubit kanë rënë në 1.550–1.600 metra kub në sekondë, gati tri herë më pak se mesatarja sezonale.

Qeveria ka shpallur gjendjen e alarmit deri më 31 gusht dhe po rrit importet e energjisë, kryesisht nga Ukraina. Një tjetër valë të nxehti pritet t’i çojë temperaturat deri në 41 gradë Celsius.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu