
Kryeministri Edi Rama deklaroi nga Brukseli se Shqipëria po ecën sipas planit për të përfunduar negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian deri në fund të vitit 2027. Në një intervistë gjatë samitit të Euronews për zgjerimin e BE-së, Rama foli për të ardhmen europiane të Shqipërisë, marrëdhëniet me Serbinë, protestat në vend dhe marrëveshjen me Italinë për emigrantët.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh optimist për përparimin e negociatave, por paralajmëroi se përfundimi i tyre nuk nënkupton automatikisht anëtarësimin, pasi vendimi përfundimtar do të varet nga 27 shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
“Gjithçka po ecën sipas planit, negociatat i përfundojmë në fund të 2027-s”
I pyetur nëse Shqipëria mund të bëhet anëtare e BE-së në vitin 2030, Rama shmangu përcaktimin e një date përfundimtare për anëtarësimin, duke kujtuar se Bashkimi Europian jo gjithmonë i ka respektuar afatet e premtuara.
“Ne po punojmë shumë fort me një plan të përbashkët, një plan i mbështetur plotësisht nga Komisioni për t’i përmbyllur negociatat në fund të 2027-s. Ndërsa flasim, gjithçka po ecën në përputhje me planin”, deklaroi kryeministri.
Sipas tij, nëse ritmi aktual ruhet, Shqipëria do ta ketë përmbushur pjesën e saj të detyrimeve deri në fund të vitit të ardhshëm.
Por vendimmarrjen e vendeve anëtare Rama e përshkroi me një krahasim ironik.
“Flasim për 27 ‘mjekë’ që duhet të bëhen bashkë, të mblidhen bashkë dhe të kenë të njëjtën ide për një ‘pacient’”, tha ai.
Serbia dhe Kosova: “Muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”
Një pjesë e rëndësishme e intervistës iu kushtua zhvillimeve politike në Serbi dhe perspektivës europiane të Beogradit.
Rama u shpreh skeptik se ndryshimi i udhëheqjes politike në Serbi do të sillte ndryshim në qëndrimin ndaj Kosovës.
“Ajo çfarë di është që fituesit në Beograd nuk tregojnë hapje për atë që është çështja më e dashur për mua, për shqiptarët, që është çështja e njohjes së Kosovës. Ata janë tërësisht të mbyllur ndaj kësaj çështjeje, kështu që kjo nënkupton se muzika në Beograd nuk do të ndryshojë”, deklaroi ai.
Megjithatë, kryeministri theksoi se Serbia mbetet një vend i rëndësishëm për stabilitetin dhe integrimin europian të Ballkanit Perëndimor.
Sipas tij, Beogradi duhet të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga procesi i anëtarësimit, përfshirë normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe përafrimin e politikës së jashtme me Bashkimin Europian.
Rama përmendi veçanërisht qëndrimin e Serbisë ndaj Rusisë dhe sanksioneve europiane.
“Serbia duhet të tregojë rezultate dhe duhet ta meritojë plotësisht këtë përkatësi, duke realizuar plotësisht atë çka është e panegociueshme në raport me BE”, u shpreh kryeministri.
Rama për protestat: “Policia ishte pala më e dëmtuar”
Gjatë intervistës, Rama u pyet edhe për protestat që kanë përfshirë Shqipërinë gjatë muajve të fundit dhe ndikimin e mundshëm të tyre në procesin e integrimit.
Kryeministri argumentoi se vendi ndodhet në një fazë të re zhvillimi, ku qytetarët nuk kërkojnë më vetëm plotësimin e nevojave bazë, por kanë pritshmëri gjithnjë e më të larta.
Ai kritikoi mënyrën se si protestat janë paraqitur në rrjetet sociale, duke pretenduar se pamjet dhe informacionet e shpërndara kanë krijuar një perceptim të shtrembëruar të ngjarjeve.
“Kishim protestues që ishin të dhunshëm dhe, ndryshe nga çdo vend tjetër që u përball me të tilla momente të dhimbshme, kishim dyfishin e të plagosurve, të lënduarve nga Policia. Pra, Policia ishte pala më e dëmtuar në këto demonstrata”, deklaroi Rama.
Sipas tij, në rrjetet sociale është krijuar përshtypja se Shqipëria është dalluar për brutalitetin e Policisë, ndërsa ai e kundërshtoi këtë interpretim.
Moderatorja e sfidoi kryeministrin, duke i kujtuar se protestuesit mund të argumentojnë se ekziston një dallim mes dhunës së ushtruar nga qytetarët dhe asaj të forcave të rendit.
“Po më provokon? E ke seriozisht apo po më provokon që të kemi një diskutim më interesant?”, reagoi Rama.
“Nuk ma dhanë protestuesit këtë detyrë, ma dha populli shqiptar”
Kryeministri u ndal edhe te kërkesat e protestuesve për largimin e tij nga pushteti.
Ai deklaroi se është i gatshëm të dëgjojë pakënaqësitë dhe të zhvillojë dialog, por kundërshtoi kërkesën që protestat të përcaktojnë përfundimin e mandatit të tij.
“Dua t’ju dëgjoj, dua të flas me ju. ‘Jo, nuk duam t’ju dëgjojmë, nuk duam të flasim me ty, duhet të ikësh’. Më fal, por nuk ma dhatë ju këtë punë. Më është dhënë nga populli shqiptar dhe kam një kontratë”, tha Rama.
Ai shtoi se protestat e fundit, sipas vlerësimit të tij, kanë përfshirë një numër relativisht të vogël pjesëmarrësish.
Megjithatë, kryeministri pranoi se pakënaqësitë e qytetarëve ndikojnë në mënyrën se si qeveria i vlerëson politikat e saj.
“Është me rëndësi t’i dëgjosh njerëzit. Mos ta nisësh duke treguar fajin, por për të kuptuar çfarë nuk shkon, çfarë ndodh, çfarë duan këta njerëz”, deklaroi ai.
Rama pranoi gjithashtu se, pavarësisht treguesve pozitivë ekonomikë që përmendi, qytetarët kërkojnë të përfitojnë më shumë nga rritja ekonomike.
“Dita që do të mendoj se nuk kam nevojë të ndryshoj, do ta lë detyrën”
I pyetur nëse qeveria duhet të ndryshojë politikat e saj përballë protestave, Rama deklaroi se ndryshimi është pjesë e vazhdueshme e mënyrës së tij të drejtimit.
“Ditën që do të mendoj që unë nuk kam nevojë të ndryshoj dhe qeveria nuk ka nevojë të ndryshojë, atëherë do ta lë këtë punë”, u shpreh ai.
Kryeministri përmendi edhe përdorimin e inteligjencës artificiale në marrëdhëniet e administratës me qytetarët, duke e paraqitur si pjesë të përpjekjeve për të ndryshuar funksionimin e qeverisë.
Ai ngriti shqetësimin se ndikimi i rrjeteve sociale mbi të rinjtë përbën një sfidë të madhe për demokracitë europiane.
Sipas Ramës, Europa po shpenzon shuma të mëdha për mbrojtjen e kufijve dhe sigurinë ushtarake, por nuk po i kushton vëmendje të mjaftueshme mbrojtjes së mendjes së fëmijëve dhe të rinjve nga ndikimet e mjedisit digjital.
Marrëveshja me Melonin: “Do të qëndrojë në fuqi edhe pas vitit 2030”
Një tjetër temë e intervistës ishte marrëveshja Shqipëri-Itali për trajtimin e emigrantëve të parregullt.
Moderatorja e pyeti Ramën se çfarë do të ndodhte me marrëveshjen në rast se Shqipëria anëtarësohej në Bashkimin Europian në vitin 2030.
Kryeministri e minimizoi rëndësinë e kësaj çështjeje në raport me sfidën e përgjithshme të emigracionit.
Ai argumentoi se emigracioni nuk mund të zgjidhet vetëm përmes forcimit të kufijve apo marrëveshjeve ndërmjet shteteve.
Kur u pyet sërish për të ardhmen e marrëveshjes, Rama u përgjigj me humor, duke iu referuar kryeministres italiane Giorgia Meloni.
“Marrëveshja do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa të jetë e nevojshme, edhe përtej në 2030-ën, 2040-n, 2050-n, derisa ajo të jetë kryeministre e Italisë”, deklaroi Rama.
Propozimi për BE-në: Vendet kandidate të ulen në tryezë përpara anëtarësimit
Kryeministri mbrojti idenë që vendet kandidate të përfshihen gradualisht në strukturat europiane, edhe përpara se të fitojnë statusin e anëtarit me të drejta të plota.
Ai theksoi se procesi i anëtarësimit duhet të mbetet i bazuar në meritë dhe se asnjë vend nuk duhet të kërkojë përjashtime nga kriteret.
Megjithatë, sipas Ramës, Bashkimi Europian duhet të gjejë një mënyrë për t’i mbajtur vendet aspirante brenda familjes europiane gjatë procesit të reformave.
“Proces bazuar në meritë, por të gjithë përreth tryezës. Këtë duhet të bëjë Europa sot, të sjellë gjithkënd rreth tryezës si pjesë e së njëjtës familje”, deklaroi ai.
Rama përdori metaforën e “shtatë fëmijëve të Ursulës”, duke iu referuar vendeve të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit, Ukrainës dhe Moldavisë.
Ai argumentoi se vendet kandidate duhet të kenë mundësi të marrin pjesë në tryezën europiane, ndërsa të drejtat dhe përfitimet e tyre të rriten sipas rezultateve të arritura.
Sipas kryeministrit, lënia e vendeve aspirante jashtë strukturave europiane krijon hapësirë për ndikimin e Rusisë dhe Kinës.
“Na merrni në shtëpi. Është shtëpia jonë siç është dhe shtëpia juaj”, ishte mesazhi i tij për udhëheqësit europianë.
Batuta për britanikët: “Tani janë pas Shqipërisë dhe Malit të Zi”
Intervista u mbyll me një shkëmbim batutash për mundësinë e rikthimit të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Europian.
Rama tha me ironi se britanikët, pas largimit nga BE-ja, tashmë duhet të presin pas Shqipërisë dhe Malit të Zi.
“Britanikët duhet të presin tani, se ne i kemi pritur mjaftueshëm, kështu që janë pas Shqipërisë dhe Malit të Zi”, u shpreh ai.
Kryeministri shtoi me humor se Shqipëria do ta përshëndeste përparimin e britanikëve drejt BE-së dhe do t’i inkurajonte të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Në fund, Rama sqaroi se deklaratat për Mbretërinë e Bashkuar ishin shaka.
Intervista në Bruksel konfirmoi se qeveria shqiptare mbetet e përqendruar te objektivi i mbylljes së negociatave në vitin 2027, ndërsa anëtarësimi i plotë do të varet si nga përmbushja e kritereve prej Shqipërisë, ashtu edhe nga vendimmarrja politike e Bashkimit Europian.






