Casual female sport clothes for sale

Veshjet sportive nuk shërbejnë vetëm për rehati dhe performancë. Ato mund të ndikojnë drejtpërdrejt te motivimi, vetëbesimi dhe dëshira për të nisur një mënyrë më aktive jetese.

Sipas një studimi të realizuar nga instituti YouGov për kompaninë Zalando, 67% e italianëve e lidhin blerjen e veshjeve sportive me fillimin e një rrugëtimi të ri ose me synimin për të arritur një objektiv personal.

Mbi gjashtë në dhjetë të anketuar, ose 62%, thonë se veshja e duhur sportive ua rrit besimin te vetja dhe i ndihmon të shprehin stilin personal. Përqindja arrin në 71% mes brezit të lindur nga fillimi i viteve ’80 deri në mesin e viteve ’90 dhe në 78% mes personave që ushtrohen disa herë në javë.

Studimi tregon se 56% e të anketuarve shohin një ndikim pozitiv të veshjeve te motivimi dhe rezultatet sportive. Prej tyre, 38% vlerësojnë veçanërisht përfitimin psikologjik, ndërsa 18% besojnë se veshjet përmirësojnë njëkohësisht motivimin dhe performancën fizike.

Gjithashtu, 47% thonë se veshjet teknike ndikojnë pozitivisht te përgatitja mendore dhe produktiviteti për përballimin e sfidave të përditshme. Mes të rinjve, kjo shifër rritet në 67%.

Rehatia mbetet kriteri kryesor kur zgjidhet një veshje sportive, e përmendur nga 46% e pjesëmarrësve. Ndërsa 21% kërkojnë veshje që i bëjnë të ndihen më të sigurt dhe më të motivuar.

Për brezin e ri, veshja sportive është kthyer edhe në një mënyrë për të shprehur personalitetin, vlerat dhe imazhin. Rreth 57% e brezit Z mendojnë se përdorimi i saj në jetën e përditshme po sfidon kodet tradicionale të modës.

Megjithëse çmimi mbetet faktori kryesor i blerjes për gati dy në tre konsumatorë, rëndësi po marrin edhe stili, emri i markës dhe cilësia teknike. Kërkesa për produkte më cilësore është rritur ndjeshëm: pjesa e këpucëve të vrapimit me çmim mbi 100 euro ka kaluar nga rreth 35% e shitjeve në vitin 2021 në mbi 70% aktualisht.

Edhe teknologjia po ndryshon mënyrën e blerjes. Rreth 35% e të anketuarve shprehen të interesuar të përdorin inteligjencën artificiale dhe provën virtuale për të zgjedhur veshjet që përshtaten më mirë me trupin dhe nevojat e tyre.

Mesazhi i studimit është i qartë: ndonjëherë hapi i parë drejt palestrës mund të nisë që në momentin kur vesh rrobat e duhura./Ansa

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu