
Një incident i rëndë dhe i pazakontë është regjistruar në Krastë të Krujës, ku një person i armatosur ka tentuar të largojë zjarrfikësit nga një vatër aktive zjarri.
Sipas të dhënave paraprake, personi ende i paidentifikuar ka qëlluar dy herë me armë zjarri në drejtim të zonës ku po vepronin efektivët, duke u kërkuar atyre të ndërprisnin operacionin dhe të largoheshin.
Pas të shtënave, autori është larguar me shpejtësi nga vendngjarja. Fatmirësisht, asnjë prej punonjësve të zjarrfikëses nuk ka mbetur i lënduar.
Pavarësisht kërcënimit, zjarrfikësit kanë njoftuar Policinë dhe më pas kanë vijuar ndërhyrjen për shuarjen e flakëve.
Policia ka nisur kërkimet për identifikimin dhe kapjen e autorit, ndërsa mbetet ende mister arsyeja përse ai kërkoi ndërprerjen e operacionit kundër zjarrit.
Hetuesit pritet të mbledhin dëshmitë e zjarrfikësve dhe provat në terren për të përcaktuar motivin dhe rrethanat e plota të ngjarjes.






