Erling Haaland preu flokët e tij të famshëm, por bashkë me to duket se “preu” edhe lidhjen me golin. Të paktën kështu mendojnë tifozët, të cilët pas paraqitjes së dobët ndaj Bournemouth i kërkuan sulmuesit norvegjez të rikthente urgjentisht pamjen e vjetër.

Manchester City fitoi 2-1 me përmbysje, falë golave të vonshëm të Marc Guehi dhe Josko Gvardiol, por Haaland nuk arriti të shënonte.

26-vjeçari shpërdoroi një mundësi të artë në pjesën e parë dhe e mbylli ndeshjen me pesë tentativa, vetëm dy prej të cilave përfunduan në portë. Ai regjistroi 26 prekje të topit, 11 pasime të sakta, asnjë gol dhe asnjë asist.

Tifozët nuk vonuan ta lidhnin paraqitjen e tij me prerjen e flokëve.

“Si Rapunzel, Haaland humbi fuqinë magjike pasi preu flokët”, shkroi njëri prej tyre.

“Haaland duhet t’i ngjisë përsëri ato flokë. Kjo paraqitje nuk ishte aspak e mirë”, komentoi një tjetër.

Një tifoz tjetër shkoi edhe më tej: “Preu flokët dhe humbi aftësinë për të shënuar”.

Pamja e re e Haaland shkaktoi reagime edhe mes emrave të njohur. Zlatan Ibrahimoviç e ironizoi ashpër gjatë një bisede me video, duke e pyetur nëse kishte humbur ndonjë bast.

Forma e norvegjezit po kthehet në shqetësim për tifozët, pasi ai nuk arriti të shënonte as në humbjen 3-0 të Manchester City ndaj Arsenalit në Community Shield.

Tani Haaland do të kërkojë të rigjejë golin në sfidën e ardhshme kundër Crystal Palace. Nëse nuk ia del, tifozët e kanë gjetur tashmë “zgjidhjen”: të lërë përsëri flokët të rriten.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu