Kryeministri Edi Rama reagoi pas miratimit të raportit të progresit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, duke e konsideruar si një tjetër dëshmi se projekti i investimit në Zvërnec nuk ka lidhje me zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë.

Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se eurodeputetët rrëzuan amendamentin që lidhte investimin me zonën e mbrojtur, duke e cilësuar atë si produkt të “stuhisë digjitale të dizinformimit”.

“Parlamenti Europian e ndau ‘shapin’ e dizinformimit nga ‘sheqeri’ i zonës së mbrojtur Vjosë-Nartë, e cila nuk ka asnjë lidhje me zhvillimin që europarlamentarët e rrëzuar me votën e shumicës dërrmuese e futën si amendament në rezolutën për Shqipërinë”, shkroi Rama.

Kreu i qeverisë vuri në kontrast vlerësimin pozitiv që, sipas tij, institucionet europiane po i bëjnë Shqipërisë, me protestat që po zhvillohen kundër projektit në Zvërnec.

“Tani ose është çmendur e korruptuar e gjithë Europa, që vlerëson Shqipërinë dhe mbështet anëtarësimin e saj në BE, ose ka diçka që nuk shkon me ata që e nisën protestën me mbrojtjen e flamingove dhe po e përfundojnë si luftë për pushtet në emër të flamingove”, deklaroi Rama.

Kryeministri garantoi se zona e Vjosë-Nartës dhe flamingot do të mbrohen, ndërsa projekti në Zvërnec do të ecë vetëm mbi bazën e një Vlerësimi të Ndikimit në Mjedis sipas standardeve të Bashkimit Europian.

“Flamingot do të mbrohen, Vjosë-Narta do të mbrohet dhe Zvërneci do të zhvillohet bazuar në standardet europiane të mbrojtjes së mjedisit”, theksoi ai.

Rama e mbylli reagimin duke theksuar se Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt integrimit europian dhe anëtarësimit në Bashkimin Europian.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu