Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presion dhe kërcënime ndaj pjesëmarrësve në protestat qytetare që po zhvillohen në Tiranë.

Në një deklaratë për mediat, Berisha pretendoi se familjarë dhe persona të afërt të protestuesve po kontaktohen dhe kërcënohen me largim nga puna nëse të rinjtë nuk tërhiqen nga protestat.

“Tani kanë filluar kërcënimet ndaj protestuesve. Personalisht Edi Rama dhe skuta e tij marrin familjarë, zyrtarë dhe i kërcënojnë me largimin nga puna nëse nuk largohen fëmijët nga protesta”, deklaroi Berisha.

Kreu i PD-së sulmoi gjithashtu drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni, duke kërkuar që ajo të raportojë para institucioneve për veprimtarinë e saj. Sipas Berishës, Hyseni duhet të japë llogari për rolin dhe aktivitetin e saj në krye të shërbimit informativ.

Berisha dënoi edhe kërcënimet e pretenduara ndaj deputetes Marjana Koçeku, duke i cilësuar ato si “të papranueshme” dhe si shprehje të “ligjit të mafies”.

“Kërcënimet që i janë bërë deputetes Koçeku janë absolutisht të dënueshme. Tregon edhe një herë ligjin e mafies. Tregon se këtu ai ka vetëm një ligj, ligjin e mafies”, u shpreh ai.

Në fund të deklaratës, lideri demokrat u bëri thirrje intelektualëve, studentëve, pedagogëve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës, të cilën e cilësoi si paqësore dhe qytetare.

Sipas Berishës, protesta aktuale është një nga lëvizjet më të mëdha qytetare të viteve të fundit dhe do të vazhdojë deri në arritjen e objektivave të saj politike.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu